Për Erjonën… nga Leonardo Pastore
Lexova tregimin e mrekullueshëm që Eraldi kishte shkruajtur për udhëtimin e fundit në Modena, i pari në drejtim të jugut pa Erjonën e tij. Eraldi e mbylli tregimin mbi shëtitjen nëpër rrugët e qytetit tone duke shkruajtur si Emilia, mbas shëtitjes me biçiklete, në darkë arriti të flinte vetëm pasi pa videon e martesës së prindërve.
Lashë të kalonte pak kohe para se të shkruaja diçka mbi Erjonen, mbi buzëqeshjen e saj, mbi dëshirën e saj të jashtëzakonshme për ta jetuar jetën, mbi atë forcë që mbarte brënda saj e që i lejoi të arrinte, duke filluar nga zero, rezultate të pabesueshme. E tani dua ta filloj pikërisht nga ajo dasëm, sepse një ditë do doja t’ja tregoja Eneas dhe Emilias për ti transmetuar emocionet që provova në ato ditë të pothuajse para 10 vjetësh.
Më rëndonte shumë ndjenja e përgjegjësisë për rolin që më kishin ngarkuar duke më kërkuar ta celebroja e sa më shumë afrohej ai 14 gusht, aq më shumë e ndjeja ngarkesën që më ngrihej nga emocioni. Shkruaja e rishkruaja, lexoja e rilexoja fjalimin që do mbaja. Do ti kem ndërruar dhjetëra herë fjalët, por në çdo version të fjalimit kisha në qëndër fjalën “SHPIRT”, besoj se shqiptohet tamam si po e shkruaj, sepse ky ishte termi që Eri përdorte praktikisht gjithmonë kur thërriste Eraldin. Përkthimi italisht i bie të jetë diçka e ngjashme me “thesari im”, një fjalë shumë e ëmbël, të cilën ama Eri e përdorte edhe me ton të rreptë, sidomos kur Eraldi tendonte të bënte me kokën e vet. Kush e njeh Eraldin dhe nivelin e “egërsisë” së tij të para 20 vjetëve e di mirë për çka po flas… Ditët e dasmës i kam të pastra në memorien time e kanë qenë ditë që nuk do i harroj kurrë. Sapo pashë fotografitë dhe videot e nuk arrij të mbaj të qeshurat për të gjitha skenat e bukura që kaluam bashkë me Lizën, Xhorxhon dhe Antonion. Nga ajo e Eraldit që arriti me karrocë në shtëpinë e Erjonës për ta marrë nuse e për ta sjellë vërdallë nëpër rrugët e Shkodrës deri tek secila prej pothuajse 12 orët e banketit me një sërë imazhesh të cilat, besomëni, është e pamundur edhe vetëm të provosh ti përshkruash (ju flet një me prejardhje nga Italia e jugut, besoja se isha goxha i përgatitur me festat e dasmave të gjata dhe me intensitet).

SHPIRT, po thoja, ishte termi që Erjona përdorte gjithmonë për ta thirrur Eraldin, do e kem dëgjuar mijëra herë, me tone të ndryshme zëri, tek Bosco Albergati, një tjetër nga vendet për të cilin do doja të flisja, një ditë me Enean dhe Emilian. Bosco Albergati është një pyll i cili gjëndet midis Castelfranco Emilia dhe fillimit të provincës së Bolonjës, vëndndodhje historike e asaj që me shumë gjasa është një nga Festat e Bashkimit më të bukura në Itali. Raporti midis Eraldit dhe Erjonës u betonua këtu, me pluhurin e parkimit në të cilin kemi futur me dhjetëra mijëra makina dhe me kimën e të famshmeve “penne all’Albergati” (specialiteti i shtepise) tek restoranti Tradicional, mbase e shoqëruar edhe me ndonjë kove me uje gjatë mbrëmjeve të nxehta të verës (tek pylli jo aq të nxehta).

E shkruaj këtu për herë të parë, nuk e kam folur akoma me askënd, do doja ti propozoja drejtuesve të Festës dhe shoqatës që menaxhon këtë vënd të mrekullueshëm: do të ishte bukur sikur ti dedikonim dicka Erjonës tek Bosco Albergati. Një pemë, një pjesë nga parkimi i pafund, një nga këndet në të cilat kemi kaluar ato që mbase do të mbeten Verat më të bukura të jetës tonë.
Do të ishte një falenderim sado i vogël, simbolik, për gjithcka ka bërë Erjona për ne. Për shoqatat që ka udhëhequr, për të majtën rinore e për të gjithë studentët e Modenës që falë punës së saj kanë parë, qoftë edhe shumë pak, përmirësimin e kushteve të studimeve.
Kam mijëra kujtime të lidhura me ato vite, është pothuajse e pamundur ti vë në rradhë pasi mblidhen njëri sipër tjetrit. Deti i ngrohte i nëntorit në Nice, netët e kaluara duke ngjitur posterat elektoralë brënda kampusit universitar, fushatat elektorale të çdo rangu e në fund hidhërimi që i humbëm pak kontaktet në vitet e fundit për shkak të punës, impenjimeve dhe jetës së përditshme larg njëri tjetrit.
Nuk arrita të përshëndesja si do doja, nuk arrita në kohë. Është një dhimbje brënda dhimbjes, që do të mbart me vete për shumë kohë akoma.
Por do të marr me vete lumturinë që të kam njohur e atë kënaqësi të jashtëzakonshme, siç e kam përsëritur disa herë në këto rreshta, që ti tregoj Eneas dhe Emilias çfarë gruaje fantastike ka qenë mamaja e tyre.
Ju kam shumë xhan, Erald dhe Erjona.


