Modena, stacioni i Modenes Pjesa 1… nga 1000
20 dhjetor 202, dita e fundit e lejuar nga qeveria për të ndryshuar krahinën. Pa menduar shume futem në makinën plot me dhuratat e Krishtlindjes për fëmijët dhe valixhet e përgatitura me vështirësi. Fus marshin e parë dhe STOP; diçka mungonte, përpiqem të mendohem, dhuratat i mora për të dy, dhuratat e tezes i mora, dhuratat jane OK, frigoriferi, dritat, interneti etj. të gjitha në rregull…
Më ngriu gjaku! Çdo herë, që nga udhëtimet e para që kishim filluar të bënim me makinë nga 2004 kur mora patenten, në nisje Ajo thoshte gjithmonë “Bismilah”! Pastaj fusja marshet, i përkedhelja doren, shikoja oren dhe kilometrat e makinës, një shikim të ëmbël mes nesh, një puthje dhe niseshim. Në fillim e tallja nga pak, në familjen time përdornim vetëm shprehjen laike Me rruge te mbare, por me kalimin e kohes ishte bërë si semafori jonë jeshil, Lëshimi, si goditja e pistoletës ne garat e shpejtësisë e kur e harronte ja kujtoja une: «Hë, do na lësh te nisemi apo jo?» Udhëtimi në emër të Zotit! E kështu udhëtimet tona kanë qënë gjithmonë të bekuara nga shume buzëqeshje, miq, familjarë e të qëndisura me Dashuri dhe aventurë. Kësaj here jo! Dëgjoja akoma zërin e saj të më oshëtinte ne kokë…
Dalim nga korsia e garazhit e futem përmendësh në rrugën drejt jugut. Vënde dhe pejsazhe që i njoh përmëndësh, Lodi, Piacenza, Parma, Qyteti i flamurit (kështu quhet Reggio Emilia) e pastaj… Modena. Në çdo qytet ktheja kokën djathtas duke shpresuar që ta shikoja të ulur afër meje, në sedilen e pasagjerit, por vëndi i Saj mbeti në mënyrë të pashmanshme bosh.
Kalonim udhëtime të tëra duke u mbajtur për dore që kur mora makinën e parë të punës me kambio automatike ne 2010. Ama sapo prekja celularin, Ajo fillonte të më stresonte deri sa nuk ja merrja dorën sërish e pastaj kapja timonin me dorën tjetër. Në bazë të rrugës që do bënim niseshim në orare strategjike si në mëngjes herët në orën 5 ose mbas dreke e për ti vënë në gjumë femijet flisnim mes nesh për gjithçka pa ja varur fare; mbas pak mërziteshin që nuk i konsideronim dhe i zinte gjumi e ne mund të vazhdonim rehat muhabetet tona.
Të futesha në shtëpinë e Lilës pa Të ishte si të ngulja një thikë drejt e në zemër, nuk doja të trishtoja fëmijët prandaj u lëshova drejt e në banjo pa përshëndetur askënd. Dola besoj i fryrë mbas gjysëm ore lotësh tejet të hidhura. Mezi pershëndeta.
Të nesërmen vendos të nxjerr jashtë fëmijët, xhiro me biçiklete. Enea nuk donte të ndahej nga kusheriri i tij Leo, prandaj vura Emilian te koshi i varur te timoni dhe filloj ti jap këmbëve. Ngjitemi mbi urën e stacionit të trenit, shkojmë drejt fakultetit të ekonomisë ku ka studjuar tezja, afër me parkun Novi Sad ku zhvilloheshin koncertet e mrekullueshme Pavarotti & Friends. Për një natë Modena bëhej qëndra e botës, por Emi ishte shumë e vogël për të kuptuar. Atëherë u futa brënda rrugicave karakteristike me kalldrëm, sheshi Pomposa e pastaj drejt… Emi e di si e ka emrin kjo rruga? Është rruga Emilia, është rruga jote, ta ka lënë mami kur ta vuri emrin tënd të bukur. Babi është e imja? Është e gjitha e imja? Po zemra ime, është e gjitha e jotja. Sapo arritëm te kryqëzimi me Rrugën na del përpara ky djalosh pak i shëndetshëm, tek të tridhjetat, i mbetur mbrapa shokëve që e kishin kaluar tashmë rrugën. Atëhere çfarë do bësh, a po vjen? – e pyetën. Por ai kishte shtangur ne mes te rrugës, shikonte drejt e në sy Emin dhe i tha: Sa vajze e bukur! Do një karamele? Pa e mbaruar mire fjalinë, Emi e kishte futur dorën në qesen e tij e mori një në formë ylli, shumë të bukur. Përshëndeti shokun e ri simpatik e më thotë: ”Këtë do e ruaj tek xhepi per t’ja treguar Eneas”. Shëtitëm rreth e rrotull tezgave në sheshin Matteotti, një përshëndetje të ngrohtë Sarës, një shoqja ime që nuk takoja prej kohësh, e pastaj futem nëpër rrugët e qëndrës, tregu Albinelli dhe rruga San Cristoforo, e histori të tjera më vinë në mënd.
Në këtë rrugë kemi banuar rreth 3 muaj gjatë verës 2005 kur të dëshpëruar se asnjëri nuk i jepte shtëpi me qera shqiptarëve, mgjs pothuajse inxhiniera, shoku im i dashur Ennio, një rregjizor teatri gjenial, na priti në shtëpinë e tij pasi ai do shkonte në Tunizi për të bërë një kurs arabishteje, besoj edhe për të ndenjur me shokun e tij, por duke mos qënë thashethemexhi për natyrë, shikoja gjithmonë punët e mija. Enion e kisha njohur kur ai po përgatiste javën e filmit ndërkombëtar per tematika delikate, kishte gjetur një film të përshtatshëm, por që ishte vetëm shqip. Miq të përbashkët na vunë në kontakt dhe kaluam një ditë të tërë, deri vonë, për ta përkthyer duke realizuar titrat. Më vonë do të realizonim një kurs teatri për studentët me spektakel final në kampus, para bibliotekës BSI… Ishte e mrekullueshme të banoje në qëndër, sapo dëgjonim pak muzikë për aktivitetet e javes Estense ose edhe vetëm pak zhurme, zbritnim menjëherë për të marrë pjesë. Unë po përgatisja temën, kurse Ajo u diplomua në korrik për nivelin Bachelor 3 vjeçar. Mëngjesin e diplomes e bëri dushin me kovë, pasi ishte prishur dushi, na bëri të kujtonim kohët e vjetra. Në shtëpinë e Enios ishin futur hajdutët në vitet e kaluara prandaj ishte shume i lumtur të na linte shtëpinë edhe unë nuk arrija të besoja për zgjidhjen e mrekullueshme.
Dal nga qëndra, kaloj nëpër Viali (kështu quhen rrugët afër parkut) e arrij në rrugën Vignolese, tek numri 671/1 në kryqëzimin me via Campi, te konvikti Mario Alegretti, ku kalova pothuajse 7 vjet. Shumë gjëra për të treguar, prandaj futem me shpejtësi në brëndësi për të kaluar oborrin, majtas lashë sallën që përdornim për të projektuar filma, për të parë ndeshjet e kombëtares ose per të bërë festa… me tej, mbrapa Marios, shoh pothuajse të paprekur parkimin ku fillova të bëja i vetëm leksionet e para të guidave në timon të një Fiat Tempra që më kishte falur Oldi, kushëriri im, kurse në vënd te fushës së futbollit kishin ndërtuar një konvikt të ri e të bukur, në kontrast të fortë me Marion, por fushës së njëmijëenjë betejave i kishte lënë vetëm pak hapsirë. Sa ndeshje dhe turne që kemi bërë, sa ndeshje treshe Itali – Shqipëri – Kamerun e sa mbrëmje vere me futbollin në piste me shkume në të cilin rregjistrova skuadren time “Zarzavate”, nuk e di pse me erdhi ky emer në mëndje, pa fituar ama asgjë të rëndësishme përveç argëtimit.
Rruga e dhimbjes vazhdonte duke kaluar afër bibliotekës BSI, vend në të cilin kam pergatitur shumë provime komplekse, njohur shume miq e para se të iknim nga Modena filluam edhe të punonim në turnet e mbrëmjes te menaxhimit të bibliotekës. Mbas mbylljes, llafe e muhabet deri në orët e vona poshtë pemës tek hyrja…eh sa kujtime!
Vazhdoj përmes parkut të poliklinikës për të arritur tek menca, nje rrugë e bërë qindra herë, gjithmonë me shumë miq. Duhet ta mbyllja se nuk duroja më e atëherë vrap drejt qëndrës në sheshin 20 shtatori për të parë rraketën e Babagjyshit, i cili në Modena, këtë vit, nuk kishte ardhur me slitën e zakonshme J. Ndërkohë që i jepja këmbëve filluam të këndonim me zë të lartë me Emin një nga këngët e Krishtlindjes…
ndërkohë dritat e qytetit ndizeshin gjatë kalimit tonë dhe kjo vetëm shtoi magjinë që Emi perceptonte, derisa i hyri frika se Babagjyshi me tërë mënd po na ikte në hapsirë…

Gjithë darkën vajza qau duke kerkuar mamanë, ama e lumtur që pa rrugën e Saj dhe u qetësua pak nga pak vetëm duke parë videon e dasmës…


