Porsi motra
Erushe e bukur, kur jemi njohur ne të dyja? Vitin tamam nuk e mbaj mend, po më kujtohet që për herë të parë të kam takuar në aeroportin e Tiranës, kur po ktheheshit nga Italia. Eraldi ma bëri me sy duke të treguar ty dhe gjëja e parë që më bëri përshtypje ishin sytë e tu shumë të gjallë, dhe pa tjetër buzëqeshja jote. Eh sa vite kanë kaluar që atëherë! Nuk takoheshim shpesh sepse jetonim në dy shtete të ndryshme, por më kujtohet veçanërisht 2005 kur erdhëm për mbrojtjen e diplomës së Eraldit. Sa jemi kënaqur! Ju na shëtisnit, na gatuanit, (mmm lazanjat e tua), nuk dinit si të na i bënit qejfin. Pastaj ishte radha ime t’ju prisja në Francë. Haha, ajo guzhina tradicionale lioneze nuk ju pëlqeu shumë, patëm edhe nja dy peripeci në pisk të dimrit, por ne e gjetëm gjuhën e përbashkët me gatimet në guzhinë ndërkohë që në foto me gjelin dilte Eraldi 😊 😊. Pastaj erdhën fejesat, dasmat. Ti ishe gjithmonë aty, duke sjellë gjallërinë dhe harenë tënde, e duke më dhënë këshilla si të ecja me fustanin e nusërisë. Më pas erdhën shtatëzanitë, pothuajse në të njëjtën kohë sikur t’a kishim bërë me fjalë. Enea me Livian 8 muaj diferencë kurse Enio me Emilian vetëm 1. C’të kujtoj më parë nga këto vite të lumtura? Takimin në jug të Francës për kampjonatin europian, pushimet e verës në Himarë e Qeparo, vizitat tona në Milano e Venezia apo festat e Halloween?
Cdo herë ishte rasti të çmalleshim e të përfitonim nga dashuria e dlirë që kishim për njëra tjetrën, nga dashamirësia pa fund që buronte nga ty. Gjatë gjithë këtyre viteve krijuam një komplicitet duke shkruar mesazhe pa fund në Whatsapp, saqë më shumë të shkruaja ty sesa Eraldit 😊. I prisja me padurim ato « Ciao halla, çfarë bëni ju andej ? » dhe shkruanim e flisnim për të gjitha. Boshllëku që është krijuar nga ikja jote është shumë i madh dhe dhimbja shumë e thellë, po të premtoj që çdo ditë mundohem të bëhem pak më e mirë duke të marrë për shëmbull. Se ashtu ishe ti, shëmbullore, me përkushtimin maksimal për fëmijët e familjen, e gëzimin tënd për jetën. E lehtë, e ëmbël, gazmore, ti do vazhdosh të na frymëzosh edhe për shumë shumë vite të tjera. Dhe mos qesh me mua nqs nuk më dalin gjithmonë të mira biskotat^^ Më mungon shumë e dashura ime. Të përqafoj me shumë shumë mall.














