Esenca e dashurisë
Dhe ndërsa ajo ishte duke fjetur në krahun tim, e ndjeva më afër se kurrë… Babi shkojmë të flemë se është vonë – më tha vetëm disa minuta më parë. Pastaj u shtrimë të përqafuar dhe ajo u dorëzua brenda pak minutash duke shtrënguar fort kutinë e thesarit, një kuti të vogël lodrash që i kujtonte mamanë e saj. E vogël, e pambrojtur, e goditur tradhëtisht në dashurinë e saj më të madhe që humbi brenda natës pa shpjegime, pa logjikë dhe pa shpresë kthimi, ajo përpiqej dëshpërimisht të mbahej tek unë, gjyshja e saj, Rozi dhe figura të tjera femërore me të cilat krijonte lehtësisht afinitet.
Në javët e në muajt e fundit jam shndërruar vazhdimisht nga një baba me trapan në dorë duke montuar raftet në mur, në një nënë që përgatit ëmbëlsira jo gjithmonë të arrira, nga një baba me pistoletë silikoni për të rregulluar lavamanin që rrjedh tek një lexuese librash për fëmijë.
Gjithnjë e më shumë ndjeja një lidhje viscerale me këto krijesa, mbase si ajo që ndjeje Ti, sikur t’i kisha mbajtur në barkun tim dhe sikur të më kishin prerë mua kordonin e kërthizës.
Më duket sikur vazhdoj ta zbuloj atë grua edhe tani që nuk është më, edhe pas shumë viteve të kaluara së bashku krah për krah duke ndarë GJITHÇKA, çdo detaj të vogël në punë ose në shtëpi, mbi miqtë apo kolegët, mbi udhëtimet apo fëmijët, mbi ëndrrat dhe projektet në sirtar… Trashëgimia që la pa thënë asnjë fjalë është e pabesueshme, në fakt kishte thënë kaq shumë dhe kishte bërë edhe më shumë…
20/03/2021


